Shkruan: Dafina Buçinca
Një pyetje për ju vajza?
Sa prej jush keni qenë te padëshiruara në familjet e juaja? Pasiqë ose prinderit ose dikush tjetër nga anëtarët e familjes dëshironte që të kishte një djalë në vend të një vajze?
Sa nga ju jeni trajtuar jo barabartë me vëllain?
E mbani mend?
Unë për vete po, e mbaj mend..
Duke qënë se unë jam vajza e pestë e femija i gjashtë në familje pasi që i pari është vëllai, gjyshja kishin shpresuar që unë të isha djalë dhe në këtë mënyrë të bëheshim dy meshkuj brenda familjes. Por, me të marrë vesh që familjës iu shtua edhe një vajzë ajo ishte mërzitur, dëshpruar aq shumë sa që nga zemra e plasur me kishte dëshiruar një jetë jo të gjatë. Por, përkundër dëshirës së gjyshes unë jetoj akoma dhe kjo falë kujdesit të madh dhe dashurisë së pa kursyer të Nënës që vazhdon të tregon edhe sot për mua.
Nëna e mërzitur ishte kthyer nga gjinekologjia duke u munduar e vetme të më ofrojë dashurinë që më kishte munguar nga antarët tjerë të familjes. Që nga ajo kohë ndoshta edhe më herët Nëna përballej çdo ditë me botën e egër patriarkale dhe e vetme luftonte që ne të trajtoheshim barabartë në familje.
Sot kur e mendoj reagimin e gjyshës nuk i vë fajin asaj për deshirën që të kishte sa më shumë meshkuj në familje. Fatkeqësisht një mentalitet i këtij lloji vazhdon të jetë prezent në mesin tonë edhe sot. Meshkujt ishin dhe mbesin në shumicën e rasteve të vetmit trashigimtarë të familjes duke përjashtuar në këtë mënyrë famrat nga e drejta mbi pronën. Madje ato familje që nuk kanë meshkuj është axha ai që gëzon të drejtën mbi trashëgimin e jo vajza legjitime e tyre. Ajo nuk ka të drejt as ta sjell bashkëshortin në shtëpinë e saj madje në shumicën e rasteve nuk i lejohet as të shes pronën e prindërve.
Aktualisht vërehet një ndryshim i lehtë nëpër qytete por jo edhe në fshatra. Sidomos nëpër vise më të thella mentaliteti ka ngelur po i njejti.
Se sa e shtypur ishte femra (dhe vazhdon te jetë akoma por në përmasa më të vogla) tregon fakti që Nënës time ju mohua edhe e drejta që të vazhdonte shkollimin. U detyrua që ta ndërpres akoma pa mbaruar filloren. Vetem pse ishte femer. Ajo nuk u pyet madje as që bëhej fjalë që të vendoste për fatin e saj. Ishin prindërit ata që kishin zgjedhur bashkshortin e saj. Deri në ditën e martesës ajo nuk kishte të drejt ta takonte atë. Edhe pse e martuar pa dëshirë Nëna kishe arritur ta gjente qetësin dhe të pajtohej me jetën e re që tashmë ishte vendosur për të. Por ajo nuk ishte e vetmja. Të tilla ishin pothuajse të gjitha femrat e gjeneratës së saj.
Një element që tregonte dëshirën e gjyshërve që unë të isha djalë ishte dukja ime.
Mjafton të shikoj fotografitë e mija të fëmijërisë dhe të kuptoj dëshirën e madhe të tyre që unë të isha djalë.
Në çdo fotografi rrobat e mija janë të kaltra.
Ngjyrë kjo që edhe sot identifikon botën mashkullore. Me flokë të shkurta dhe me rrobat e kaltërta dukem tamam një djalë i vogël e i lezetshëm.
Që ta shfryente mllefin e gjithë kësaj mbaj mend se si Nëna qante fshehurazi dhe në të njejtën kohë më përqafonte ngrohtësisht. Nuk e pyeta asnjëherë pse e bënte këtë por mund të këtë qenë gjendje ime në të cilën më kishin katandisur gjyshërit e mi, që e bënin ate të qante.
Isha 5 vjeç kur për herë të parë Nëna më dhuroi një kukull. Isha shumë e lumtur jo pse për hërë të parë kisha një kukull por për faktin se për hërë të parë kisha një lodër që me idetifikonte mua si femër.
Duke qenë edhe vet femër Nëna e dinte shumë mirë çmimin e lartë që kishte paguar dhe nuk dëshironte që fati saj të na percillte edhe neve.
Për vëllain nuk kishte nevojë të luftonte sepse ai ishte i priviligjuari i familjes këtë e dëshmon fakti që edhe pse fëmijë atij i lejohej të pinte edhe cigare.
Një moment tjetër që ma kujton sakrificën e Nanës është ai kur ne humbem babin gjatë luftës. Përkundër moshës së re që mbeti e ve ajo nuk na braktisi asnjëherë për t’u martuar më dikë tjetër. Roli saj u dyfishua që nga ai moment ajo tashmë ishte edhe baba edhe nënë për ne. Më një gjendje jo fort të mirë financiare ajo na edukoj dhe shkolloj të gjithë neve që shprehem vullnet per shkollim.
Për 17 vjet me radhë arriti ta fsheh mërzin e dhimbjen e saj thellë brenda vetes duke mos e shpalosur asnjëherë para nesh. Vetëm e vetëm që ne mos ta ndjenim vetën me faj për sakrificën që ajo po bënte per ne.
Një pyetje që shpesh herë ia bëjë vetes është se a do ta kishte bërë babi një sakrificë të tillë????
A do të na kishte qëndruar gjithmonë pranë sikur Nëna?
Nëna madje nuk u ankua asnjeherë për netët pa gjumë që kalonte për ne. Nuk u ankua asnjeherë për dhimbjen që kishte në zemër, nuk u ankua asnjeherë për vuajtjet që përjetonte çdo ditë as per vështirësitë ekonomike që kishte dhe për luftën e pa rreshtur që bënte.
Humbjen e babait na plotesoi me dashurinë e madhe që na ofron edhe sot duke na berë shumë me të lehtë dhimbjen dhe mungesën e tij.
Shpeshherë mendoj se ajo nuk është një njeri i zakonshëm por ajo është një copë shkëmbi pasi që vetëm një i tillë arrin të mbijetoj nga ajo stuhi aq e madhe që e perplaste sa herë që ngritej në këmbë. Ajo është nje heroinë e vërtet që i mbijetoi botës së egër mashkullore duke mos ju trembur syri fare.
Pra, të kesh një vajzë nuk është mallkim përkundrazi është një bekim nga zoti.
Një vajzë që në të ardhmen do të bëhet një nënë e grua dhe si e tillë ajo meriton të çmohet dhe trajtohet barabartë me gjininë e kundërt.