Ilir Hasanaj(29) është regjisor i ri shqiptarë që jeton në Zvicër. Ai ka studiuar për film në Universitetin e Zyrihut. Me prejardhje nga Deçani por i rritur në shtetin helvetik, Iliri ka një të folur të pastër shqipe. Ai vëzhgon shoqërinë dhe krijon artin e tij i cili ka diçka të veçantë dhe është mjaft origjinal. I pëlqen populli shqiptarë por i pengon ideja që konsumohet aq shumë mish në vendin e origjinës së tij.
Porta: Ju keni lind në rrethin e Pejës mirëpo pjesën më të madhe të jetës e keni kaluar në Zvicër. Ndërsa në një moment si duket kur keni filluar të merreni me filmin jeni kthyer prapë në Kosovë me bashkëpunime e punë. Si i sheh ti dy vende dhe ndikimin e tyre në krijimin tënd si individ por edhe si artist?
Po, unë jam rritur në Zvicër, por i kam marrë me vete kujtimet e vendlindjes. Jam marrë gjatë me kto dy kultura që janë në shumë pikpamje tepër të largëta prej njëra-tjetrës e në tjera shumë të afërta. I kam marr ato pjese që më kanë pëlqyer prej këtyre dy kulturave dhe i kam bashkuar në një formë tjetër, ashtu që t’i përshtaten mënyrës se si dua të jetoj. Nuk mund të jem i kënaqur duke e lënë vetëm njërën kulturë të më definojë, për shembull vetëm me atë të Zvicrës që është në shumë aspekte tepër precize dhe e urtë e që shpesh i mungon çmeduria e jetës, e po ashtu nuk mund të jem i kënaqur vetëm me kulturën shqiptare që është tepër e gjallë dhe plot jetë por shpesh herë pjesë e saj është edhe të qenurit dembel. Kështu gjithmonë mundohem t’i kombinoj gjërat që i kam mësuar nga të dy këto kultura.
Porta: Kur keni vendosur që të merreni me film. A ka qenë diçka që e keni dashur gjithë jetën?
Po, dashurinë për film e kam pasur tërë jetën, por nuk e kam ditur prej fillimit që këtë mund ta kem ndonjëherë si profesion. Më kujtohet që si fëmijë u pata mahnitë tepër shumë nga filmi “një pallto për babin tim në burg” nga Adem Mikullovci që e kam shikuar disa herë pa u ndalë. Aty më duket që qëndron fuqia e artit, kur e len publikun ta shohë një botë tjetër dhe i prekë në ndonjë mënyrë çfarëdo qoftë ajo. Kështu lindi inspirimi im për ta krijuar një punë që i prekë njerëzit në çfarëdo mënyre.
Porta: Kush të inspiron në jetën tuaj artistike?
Drita, njerëzit dhe dashuria.
Porta: Filmi “Leonardo” i cili ka qenë filmi i diplomimit ishte mjaft interesant jo vetëm për tematikën por edhe realizimi. Cili regjisor ka ndikuar tek ti?
Në anën e vizuale jam marrë shumë me filmin “The Master” të Paul Thomas Anderson-it, që më pëlqen shumë. Në 20 minutat e para të këtij filmi e ka realizuar një hyrje jashtëzakonisht intensive të karakterit të tij. Një skenë që më ka inspiruar është ajo ku disa detar e hedhin protagonistin me objekte të ndryshme në drejtim të kamerës.
Tjetri është regjisori Michelangelo Antonioni që në filmin “L’eclisse” e kallxon në mënyrë tepër shpirtërore dhe të saktë një tregim të dy personave që në njëfarë mënyre dashurohen dhe tërë atë që ndodh shikuesi arrin ta shijojë në film.
Porta: Çka ke menduar të transmetosh te njerëzit me filmin “Leonardo”?
Filmi i prek disa tema: konsumimi i tepruar, këmbëngulja në një bindje, ëndërrat dhe dashuria. Besoj që njerëzit duhet të fluturojnë më shumë me makina fluturese.
Porta: Në Swikos filmi morri çmimin e publikut, a do të udhëtoj filmi edhe në festival tjera së shpejti?
Po, filmi tashmë ka qenë në disa festivale si në Dokufest në Kosovë, në Camerimage ne Poloni, përveç Swikos-it në Zvicër do të shfaqet edhe në disa festivale tjera që do t’i zbuloj së shpejti, ndërsas shpresoj që të arrijë të shfaqet në krejt botën.
Porta: Tematika e filmit por edhe mënyra e realizimit ishte më ndryshe se filmat e regjisorëve shqiptarë, ata zakonisht po përmbajnë tema më tragjike… si e bënë ti krahasimin mes filmave të regjisorëve të rinjë shqiptarë dhe tjerëve të Evropës, ndoshta është edhe përshkak të shkollave ku edukohen këta regjisorë?
Sigurisht që rrethanat na ndikojnë në mënyrën se si bëjmë filma, dhe për cilat tema i bëjmë ata. Kur ta shikosh historinë e filmit, mund të shohësh edhe problemet sociale të një populli duke i parë filmat që janë bërë në atë kohë.
Regjisorët e Kosovës shpesh merren me probleme esenciale, me luftën e fundit dhe me problematikën e një shteti të pavarur që s’është i pavarur. Inspirimi për me shkru një film është ndryshe prej një regjisori të Evropës se ndoshta nuk ballafaqohet me këto probleme dhe për këtë arsye edhe nuk i tematizon në filmat që i realizon.
Ajo çka më pëlqen në film: secili punon me mjetet e njëjta – me një skenar që të nevojitet vetëm një laps dhe një fletë. Një film i mirë nuk bëhet me mjete dhe të holla por me një tregim të mirë dhe punë. Kur ti kqyrsh regjisoret e mëdhenj si Christopher Nolan ose Robert Rodriguez që filmin e parë e kanë berë me afro 7000 Dollar, tani vertetë e besoj që është e mundshme të bësh një film të mirë pa shumë mjete dhe të holla.
Porta: Ti je një i ri shqiptarë që është rritur dhe edukuar në Zvicër. Dihet se ka një konflikt të heshtur mes gjeneratash sikur kudo. Dhe prindërit shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit shpesh janë më këmbëngulës në ruajtjen e traditave. Si e sheh ti këtë fenomen?
Prindërit e mi kanë pasë frikë se do ta harrojmë gjuhën shqipe, do ta humbim kulturën e atdheut dhe do të asimilohemi krejtësisht në Zvicër. Kështu që kanë punuar me ne që të mos ndodhë kjo dhe jam i lumtur për këtë këmbëngulje.
Më duket se prindërit e mi do të ishin më të gëzuar në qoftë se do ta bëja një punë të zakonshme dhe jo të merrem me art, por pavarësisht kësaj ata gjithëmonë më kanë dhënë hapësirë që t’i marr vetë vendimet e mia, që ka qenë shumë e rëndësishme për mua për tu formuar si individ i pavarur.
Në lidhje me dallimin në mes të gjeneratave, mendoj se mungon komunikimi në mes tyre, ashtu që shpesh të dyja palët ndihen të keqkuptuara. Aq shumë sa të dyja palët shpesh dorëzohen që në fillim, në vend se ta ndërtojnë një urë me mirëkuptim e besim në njëri tjetrin. Gjeneratat më të vjetra i japin shumë rëndësi mendimit të shoqërisë, në vend se ta pranojnë individualitetin e njerëzve. Nuk duhet të gjithë të dukemi njejtë apo të mendojmë njejtë që të jetojmë së bashku. Mendoj se të gjitha këto mund të zgjidhen kur ta përmirësojmë komunikimin në mes të gjeneratave dhe kur të mësojmë t’i qasemi gjërave me mendje më të hapur.