Shkruan: Valon Murati, ministër i Diasporës
Të dashur bashkatdhetarë,
Ju vetë keni qenë pjesë e pandashme e rrugës për lirinë e atdheut. Tërë jeta e juaj, ka qenë në shërbim të lobingut politik, të ndihmave financiare, të ndihmave logjistike dhe në fund edhe të pjesëmarrjes fizike në luftën çlirimtare. Pa punën tuaj, liria do të ishte shumë më vështirë e arritshme. Andaj, në respekt të angazhimit tuaj dhe të lidhjes që keni me lirinë e Kosovës, ne mblidhemi këtu çdo vit, për të shënuar ditët e mërgimtarëve edhe në Prekaz, si simbol i sakrificës së përbashkët, për të çimentuar lidhjet e diasporës me vendlindjen.
Të dashur bashkatdhetarë,
Ju edhe sot vazhdoni të jeni pjesë e rëndësishme e atdheut. Ju sot jeni një resurs i jashtëzakonshëm njerëzor, gjithmonë i gatshëm të jetë në shërbim të atdheut. Sigurisht kohërat kanë ndryshuar dhe në vend të ardhjes suaj në luftë, ju sot po vini në atdhe jo vetëm në shtëpitë e juaja gjatë pushimeve, por edhe si politikanë, ndërmarrës, mjekë, profesorë, sportistë, artistë etj.
Ju, kudo që jeni, në radhë të parë me punën tuaj të ndershme, me angazhimin tuaj në jetën politike, ekonomike, kulturore, arsimore e sportive të vendeve ku jetoni, po e lartësoni kombin shqiptar, shtetin e Kosovës dhe viset e tjera shqiptare. Ju, kudo që jeni, po i krijoni atdheut tuaj lidhje të rëndësishme në të gjitha sferat e jetës.
Ju, vazhdoni të jeni edhe sot, shumë të rëndësishme për mirëqenien e familjeve tuaja këtu në Kosovë, por edhe të ekonomisë së vendit në përgjithësi. Ju, vazhdoni të dërgoni remitenca për familjet tuaja. Ju vini tani, gjatë gjithë verës, dhe shpenzoni në atdhe. Ju, jeni prezent me investimet direkte në ekonomi dhe në të tria këto kategori së bashku, ju i sillni atdheut diku rreth 1.5 miliardë euro në vit.
Sigurisht, ju jeni edhe kritik, dhe me të drejtë pritni që Kosova të ecë edhe më shpejtë përpara. Ju doni një atdhe të zhvilluar dhe çdo e metë që vëreni ju pengon.
Vërejtjet dhe propozimet e juaja na ndihmojnë që ne të punojmë më mirë. Por, njëkohësisht, na ndihmojnë të gjejmë rrugën më të mirë sesi duhet të ndërtojmë raportet me ju. Unë besoj se çfarëdo forme që të marrin këto raporte duhet të jenë raporte partneriteti, raporte në mes të njëjtëve dhe në të mirë të Kosovës dhe të diasporës sonë kudo që ajo jeton.