Pothuajse gjithë jetën e tij e ka kaluar në Zvicër ndërsa ka dy vite që po qëndron në Prishtinë.
Kaosi dhe ngrohtësia mes njerëzve duket që po e inspirojnë regjisorin Ilir Hasanaj i cili para pak ditësh në festivalin e filmit Dokufest mori çmimin e audiencës me filmin e tij të ri “Me dasht, me dasht, me dasht”.
Ai ka studiuar për film në Universitetin e Zyrihut. Me prejardhje nga Deçani por i rritur në shtetin helvetik, Iliri ka një të folur të pastër shqipe. Ai vëzhgon shoqërinë dhe krijon artin e tij i cili ka diçka të veçantë dhe është mjaft origjinal.
Kjo është intervista e plotë që kemi realizuar me të rreth jetesës në Prishtinë, filmit të ri, planeve e shumëçka tjetër.
Porta: Cila është tema e filmit dhe cili është mesazhi që keni dashur ta përqoni përmes tij?
Temat që preken në film janë të shumta por thelbi i tyre është: dashuria dhe dashuria ndaj vetvetes. Ky film me duket më i hapur se filmi i kaluar që e kam realizuar për shkak të mënyres se si transmetohet mesazhi. Për këtë arsyje nuk dua ta jap një mesazh të përgjithshëm ndaj filmit sepse më duket se bukuria qëndron në atë qe secilit i pelqen diçka tjetër në film. Po ta kishin të gjithë njerëzit shijen e njëjtë në gjëra, do të ishte gjithçka bajat.
Porta: Duke qenë i rritur dhe shkolluar në Zvicër, së fundi po qëndroni në Prishtinë, cili ka qenë ndikimi i Kosovës në realizimin e këtij filmi. Dmth jeta në Prishtinë, a po lenë gjurmë në krijimtarinë tënde.
Qëndrimi në Prishtinë më ka bërë t’i kuptoj rrethanat e këtij vendi më mirë dhe më ka shtyrë të ballafaqohem me to drejtpërdrejtë. Ndonjëherë të ndalet rryma dhe të hupë një copë punë qe ke bërë, diçka që në Zvicër nuk ke nevojë ta mendosh asnjëherë. Por njërezit e Prishtinës e bëjnë këtë vend të paharruar. Ngrohtësia e njerezve rreth meje, gjithmonë më bëjnë të ndihem mirë dhe më japin më shumë vullnet ta shtyj punën përpara. Më duket se në Prishtinë kam mësuar shumë për vetveten dhe për thjeshtësinë e marrjes së vendimeve artistike duke i besuar instinktit të parë. Në Prishtinë duhet te jesh më fleksibil jo vetëm në kohën e lirë por edhe në punë. Gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejtë dhe njerëzit janë shumë spontan. Kështu që më është dashur t’i adaptohem pak Prishtinës. Në anën tjeter mendoj se Prishtina ka shumë njerëz të cilët punojnë me përpikshmëri dhe profesionalitet të lartë. Këtë e kam mësuar nga ekipi me të cilin kam punua në filim, të cilët i janë përkushtur filmit kanë dhënë gjithçka që të krijohet një punëe mirëfilltë.
Porta: Filmi është përkrahur nga qendra kinematografike, është shfaqur edhe në dokufest. Në shfaqjen e parë, reagimet ishin shumë positive, kur kanë mundësi ta shohin përsëri filmin tuaj, adhuruesit e artit?
Filmi momentalisht është shfaqur vetëm në Dokufest dhe kemi pasur kënaqësinë të shpërblehemi me çmimin e publikut. Janë të planifikuara shfaqje të filmit në festivale tjera ndërkombëtare.
Porta: Filmi juaj i parë ishte mjaft interesant dhe i realizuar me ekip internacional. Kësaj radhe aktorët I keni shqiptarë ndoshta edhe një pjesë të ekipit. Si ka qenë eksperienca me filmin “Me dasht, me desht, me dasht” në krahasim me filmin “Leonardo”.
Një gjë që më ka gëzuar shumë është që kam pasur fatin të punoj me njerz të Prishtinës shumë të talentuar dhe me zemër mirë.
Porta: Jeni angazhuar në jetën kulturore në Prishtinë, përmes projektit termokiss, si po ndjeheni në kaosin e kryeqytetit të Kosovës, kaosin kulturorë, urbanistik dhe gjithcka jashtë regullit në krahasim me Zurichun ku jeni rrit.
Mua më pelqejnë vendet e vogla për shkak të thjeshtësisë së tyre. Prishtina edhe pse është e thjeshtë dhe e vogël e ka kaosin e saj koxha të zhvilluar. Kaosi i Prishtinës dhe kultura e jonë e krijon një afërsi të njerëzve me njëri tjetrin. Po ashtu, gjithmonë më ka pëlqyer fakti që njerëzit menjëherë mundohen të të ndihmojnë në çfarëdo situate që je. Në Termokiss jam kyçur duke punuar bashkë me Njomza Dragushën që është një nder udheheqesit e Termokissit. Ajo me pyti në verën e vitit 2016 se a mund ta marr përsipër shfaqjen e filmave në Termokiss. Prej asaj vere e kam marrë përsipër udhëheqjen e klubit të filmit në Termokiss ku janë shfaqur shumë filma vendor e ndërkombëtar. Pas shfaqjes së filmave gjithmone pason një diskutim i hapur me publikun për komentimin e filmit. Gjatë shfaqjes së filmave vendor jam përpjekur që gjithmonë të jenë të pranushëm edhe vetë filmbërësit në mënyrë që biseda me publikun të jetë sa më e frytshme. Më shumë më duket e rëndësishme që edhe Prishtina ta ketë një hapësirë ku shfaqjen filma alternativ të cilët nuk mund t’i shohësh në kinematë klasike të qytetit.