“Javët e Kulturës shqiptare 2017” do të sjellin në Vjenë artistët Jakup Ferri, Eno Peçi e shumë të tjerë. Shqiptarët që jetojnë në Austri do të mund ti shohin filmat e përzgjedhur të Dokufestit. Ndërsa nuk do të mungojnë talentët tanë si Flaka Goranci, Menan Bërveniku etj. Se si shkoj organizimi i eventeve dhe kush qëndron prapa kësaj punë tregon Ermal Vejsa, kryetar i Këshillit Koordinues – Vjenë.
Revista Porta: Si ka shkuar organizimi prej fillimit deri tash kur kanë mbet edhe pak ditë deri në hapjen e Javëve të Kulturës?
Ermal Vejsa: Që nga fillimi i organizimit të “Javëve të Kulturës Shqiptare” ka qenë një angazhim i pandërprerë. Këtë vit kemi vendosur tri synime kryesore të cilave u kemi qëndruar besnik gjatë gjithë procesit, pavarsisht mundësive të limituara që kemi patur dhe akoma kemi. Një nga synimet kryesore ishte sjellja e ideve të reja dhe me vlerë, tjetri që t’u qasemi emrave të njohur shqipëtar, respektivisht artistëve dhe personaliteteve shqiptare me renome ndërkombëtare dhe t’i bashkojmë këto përbrenda “Javëve të Kulturës Shqiptare” në vende me interes të veçantë në Vjenë, dmth në vende të njohura dhe të frekuentueshme, si synim i tretë. Nëse llogarisim edhe pengesën kryesore, mbështetjen financiare me të cilën përballet ky projekt i cili ka një potencial të madh, mund t’ju themi me bindje të plotë, që sot, pak ditë para fillimit të programit për vitin 2017 edhe ne vet si organizatorë jemi të kënaqur dhe i gëzohemi gjithë rezultateve të kësaj pune, e cila ka filluar qysh në prill të këtij viti. Tanimë mirëpresim reagimin e publikut të cilit i mbetet të na japë mendimin e tyre duke nisur që nga data 17 nëntor, që shënon fillimin e Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri për vitin 2017.
Revista Porta: Si ka shkuar përzgjedhja e artistëve dhe pjesëmarrësve në këto evente?
Ermal Vejsa: Siç e theksova më lartë, një nga synimet ka qenë sjellja e artistëve shqiptar me renome ndërkombëtare dhe jo vetëm aq, por të realizojmë bashkëpunime edhe me artistë të tjerë poashtu shqiptar të cilët veprojnë kryesisht në Austri. Në suazë të kësaj persistence është bërë përzgjedhja. Sigurisht, duhet theksuar që një qasje e tillë ishte e vështirë sepse duhet të përballesh me shumë pengesa siç janë aspekti kohor i vet personave të ftuar, financimi dhe poashtu edhe gadishmëria e vet artistëve, e cila kryesisht varej nga angazhimet e tyre personale. Pas përpjekjeve të bëra, me krenari mund të themi se kemi arritur të realizojmë bashkëpunime të tilla, të bashkojmë emrat sikurse Eno Peçi, Jakup Ferri, Mennan Berveniku; arritëm të vendosim një bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Dokumentarit dhe Filmit të Metrazhit të Shkurtër – DOKUFEST-in, të sjellim gjithë grupin Offchestra dhe shumë detale të tjera. Sigurisht jo të gjithë ata të cilët i kemi synuar do të jenë prezent, por kjo mbetet gjithsesi peng i një mbështetjeje edhe më të madhe që duhet t’i bëhet “Javëve të Kulturës Shqiptare” në të ardhmen.
Revista Porta: Cilat evente ishte më e vështirë të organizohen?
Ermal Vejsa: Secili event i ka pasur vështersitë e veta, por nëse me duhet të veçoj njërin, atëherë do të veçoja mbrëmjen e parë, Hapjen e “Javëve të Kuturës Shqiptare” në Austri, ku do te mbahet ekspozita „Muscle Memory“. Duke marrë parasysh që realizimi i ekspozitës ka problematikën e vet si p.sh. sjelljen e punimeve e cila është përgjegjësi më vehte, organizmin e hapsirës e cila kërkon poashtu paisje specifike, sigurimin e punimeve etj. Vet artisti Jakup Ferri ka qenë tejet bashkëpunues dhe ky fakt na ka lehtësuar shumë punën. Përveç vet ekspozitës, këtë mbrëmje kemi ftuar edhe personalitete të ndryshme nga politika dhe fusha të tjera, nga Austria, Kosova e Shqipëria, prandaj kjo është edhe një përgjegjësi shtesë e cila e veçon këtë mbrëmje nga mbrëmjet tjera për nga pesha e punës sonë.
Revista Porta: Në kalendarin e eventeve shihet që do të vijnë artistë edhe nga vendet tjera, a është kjo hera e pare që po bëhen shkëmbime të tilla kulturore në kuadër të javëve të kulturës shqiptare?
Ermal Vejsa: Nuk do të thoja që është hera e parë, sepse gjithnjë është tentuar që të sillen artistë edhe nga jashtë, por ndoshta këtë herë kemi arritur që të zgjerojmë konsiderueshëm rrethin e artistëve pjesëmarrës. Synojmë që këtë praktikë ta shëndrrojmë në traditë, që çdo herë për “Javët e Kulturës Shqiptare” të mbledhim në Vjenë ajkën e artistëve shqiptarë nga e gjithë bota. Ky është një synim që Këshilli Koordinues i ka vënë përpara vehtes dhe shpresoj që do të mbështetet edhe në të ardhmen.
Revista Porta: Sa evente janë dhe si keni arritur ta bëni mbulimin financiar për to?
Ermal Vejsa: Të gjitha aktivitetet të cilat do të organizohen për Javët e Kulturës Shqiptare në Austri 2017, janë nën ombrellën e Këshillit Koordinues, ku 5 nga total 12 aktivitetet organizohen direkt nga udhëheqësia e Këshillit Koordinues, kurse të tjerat nga organizatat përkatëse të cilat veprojnë në gjithë Austrinë, të mbështetura poashtu nga Këshilli. Me të definuar/shkruar projektpropozimin, si hap të parë, e kemi dërguar atë tek Institucionet të ndryshme vendore këtu në Austri (shtetërore dhe private) si dhe tek ato në Shqipëri dhe Kosovë. Duhet theksuar se deri më tani mbështetja prej disa nga institucioneve austriake është konfirmuar, kurse jemi në pritje të konkretizimit të hapave të fundit për mbështjen nga Minsitria e Diasporës së Kosovës; përderisa fatkeqsisht, interesimi i Institucioneve nga shteti i Shqiperisë mungon. Por, duke marrë parasysh që tanimë ka dy muaj që është themeluar edhe Ministria e Diasporës së Shqipërisë, kemi shpresë për një bashkëpunim të mirëfilltë në të ardhmen.
Revista Porta: Cka i karakterizon këto evente, si duket vendet ku do të mbahen janë gjithmonë në qendër dhe në lokacione shumë interesante e të mira…?
Ermal Vejsa: Secili event dallon nga tjetri, por, ajo çfarë ndoshta kanë si karakteristikë të përbashkët është arti dhe krijimtaria e mirëfilltë, në kombinim të pandarë me talentin që të gjithë këta artistë shqiptarë do të shfaqin. Kurse sa i përket lokacioneve, siç e theksova më heret ajo ka qenë cak i yni, të cilin shpresoj ta kemi arritur sadopak. Të arrijmë të realizojmë projektet tona nëpër këto lokacione na lehtëson edhe qasjen më direkte tek publiku i huaj, pasiqë këto janë vende të cilat frekuentohen nga publiku austriak e më gjërë dhe rrjedhimisht kjo nënkupton promovimin edhe më të fuqishëm të kultuës sonë.
Revista Porta: Ju si organizatorë, cilin event e keni pasur më për qefi dhe që jeni krenar që arritët ta organizoni?
Ermal Vejsa: Padyshim që secili event na bën krenar dhe ka peshën e vet në këtë projekt. Por, personalisht do të veçoja arritjen e inkuadrimit të balerinit tonë botërisht të njohur, Eno Peçit i cili do na sjellë një koreografi të realizuar vetëm për “Javët e Kulturës Shqiptare”, si dhe sjelljen e Dokufest-it në Vjenë, një festival i cili tanimë ka marrë përmasa ndërkombëtare.
Revista Porta: Javët e kulturës sivjet po duket që do të jenë më të begatshme, cka keni mësuar nga viti i kaluar që kësaj radhe po e bëni ndryshe?
Ermal Vejsa: Duke marrë parasysh që unë jam inkuadruar në Këshillin Koordinues që nga viti i kaluar nga Javët e 2016, dhe vetëm nga përvoja ime nisur që nga viti i kaluar mund të them se suksesi i këtij projekti është rritur vetëm si rezultat i qasjes serioze në punë. Faktikisht deri më tani është punuar gjithnjë në humbje dhe me një masë rrezikshmërie deri sa kemi arritur t’u japim formë të gjitha projekteve dhe kemi fiksuar bashkëpunimet me artistë; ndërsa mbështetja financiare në masë, e cila ka siguruar realizimin e këtyre projekteve ka ardhur post factum. Sado e vështirë që ka qenë për neve si organizatorë, mendoj që është e arsyeshme dhe duhet të shifet me pozitivitet sepse ndoshta mbështetësve potencial financiar u ka munguar siguria që po bëhet punë serioze dhe në përfitim të komunitetit dhe sidomos të atyre vet si financues, sepse puna e jonë si Këshill Koordinues është vetëm dhe absolutisht vullnetare. Me një fjali, nëse mund të relativizohet kështu i bie të ketë qënë një proces i tipit ‚bëj mirë e gjej mirë‘. Këtu shfrytëzoj rastin të falenderoj sidomos mbështetjen e shumë bizneseve private shqiptare nga Austria dhe nga Kosova, të cilët e kanë vlerësuar projektin pas prezentimit që i kemi bërë dhe tani po na mbështesin.
Revista Porta: Sa vizitorë pritet të marrin pjesë në ngjarjet e organizuara?
Ermal Vejsa: Vitin e kaluar kemi vlerësuar një numër total të vizitorëve në të gjitha eventet rreth 2500. Sivjet, duke marrë parasysh që edhe numri i organizimeve është rritur, synojmë të dyfishojmë numrin e vizitorve, shpresoj rreth 4000 në total. Këtë vit për herë të parë Javët e Kulturës Shqiptare në Austri kanë filluar të promovohen që nga data 06.11.’17 edhe në televizionin Klan Kosova, gjithashtu edhe mediat elektronike po na promovojnë përsëri, kështu që mendoj se edhe kjo do të ndikojë sadopak. Me këtë rast falenderoj edhe Revistën Porta për kujdesin që po tregon për informuar dhe për të promovuar këtë projekt i cili i shërben denjësisht promovimit të vlerave tona të përbashkëta kombëtare.