Shtatë vjet pritjeje që Kosova të bëhet problem i mirëfilltë jugosllav, ka prodhuar në Serbi atë lloj radikalizmi i cili, në vend të ardhmes, i kthehet kohërave të vjetra, lahutave dhe mjekimeve autoritare të shokut të ndërgjegjes kombëtare.
Botuar me 25 gusht 1987, Danas nr. 289.
Pa marrë parasysh se disa mendojnë që Jugosllavia është krijesë artificiale e kështu që nuk paraqet mostër – ajo gjithsesi është më e mira e të gjitha shteteve të përbashkëta në të cilat kemi jetuar deri tani. Kështu nuk është e qartë se pse në vendin me traditë kaq të pasur në përbashkimin dhe ndarjen e politikave në një qark të saj, në Kosovë, në mungesë të mjeteve më të mira, të udhëhieqet kryesisht me instinkt!
Mbase kjo mund të jetë përgjigje në konstatimin e Drazha Markoviqit, të bërë para dhjetë vjetëve në kujtimet e tij: “Ne nuk dijmë çka të bëjmë me Kosovën?” Në ndërkohë situata ka ndryshuar. Tashmë nuk është më e rëndësishme nëse Jugosllavia e din se çka po bën me Kosovën, por çka Kosova do të bëjë me Jugosllavinë.
Argumentimi për çështjen e shtruar kështu gjendet në herbariumin e “lules së të keqes” së Kosovës, e mbledhur në dhjetë ditët e fundit. Fillimisht lajmet e mira, nëse kështu do ta keni më të lehtë: pas shumë muajsh në Prishtinë erdhi te tubimi i madh masovik i qytetarëve serbë, shqiptarë dhe të tjerëve. Bëhet fjalë për grevën e punëtorëve të kompanisë ndërtimore “Ramiz Sadiku”. Para faktit se fitimi mesatar është nga 35 në 70 mijë dinarë, ranë paragjykimet etnocentrike. Ndonëse për hir të së vërtetës disa liderë grevistë duke kërkuar rritje të qindpërqindtë të pagave, theksuan se në Serbi “kërkesat e ngjashme greviste përmbushen më lehtë”.

Tashmë nuk është më e rëndësishme nëse Jugosllavia e din se çka po bën me Kosovën, por çka Kosova do të bëjë me Jugosllavinë. Kasetat më të popullarizuara me lahuta janë me tema të reja kosovare, ndërsa çmimet e armëve në tregun e zi kanë kërcyer shumë më lartë se sa inflacioni.
Përderisa për Fadil Hoxhën dhe gruan e tij Vahiden edhe më tutje shkruhet sikurse për Ferdinand dhe Imelda Markosin, sikur Kosova të ishte ishull për zhvillimin e të cilit bartin përgjegjësi liderët republikanë dhe federativë, këto ditë atyre iu bashkua edhe “kolaboracionisti serb” Ilija Vakiq, i cili ka çregjistruar vendbanimin nga Prishtina, e konform qëndrimit të organeve krahinore nuk mund të qëndrojë më anëtar i qeverisë federative. Kjo publikisht do të jetë fitore e opinionit publik, ose farsë, sepse në dhjetë vjet të fundit Hoxha dhe Vakiq, kanë pasur kundër vetes së tyre shumicën e publikut serb, por kjo nuk iu ka penguar në karrierën e tyre.
Njëkohësisht, përderisa është mbledhur Komisioni për ndryshimin e Kushtetutës, Kuvendi i Serbisë ka kërkuar nga Kuvendi Federativ zyrtarisht që të aprovohet ligji për përdorimin zyrtar të gjuhëve të kombësive, meqë sipas Kushtetutës në Jugosllavi gjenden në përdorim zyrtar gjuhët e kombeve, ndërsa gjuhët e kombësive “nën kushtet dhe mënyrën e parashikuar me Kushtetutë dhe me ligjin federativ”. Po diskutohet edhe për vitin e ri shkollor dhe faktin se nxënësit e shkollave të mesme në Kosovë nuk do ta mësojnë Kërlezhën, Llalliqin, Dërzhiqin, Cërnjanskin, Koneskin, Matejin dhe Borin…
Shefi i zyrës së vendit në Fushë Kosovë – Miftar Ruhani, në vend të beletristikës është marrë me “përpjekje dashurie në mjediset zyrtare”; gruaja është e kombësisë serbe. Nëpër fshatin serb Kllokot, nëpër të cilin thonë nuk kanë kaluar krushq shqiptarë në shtatëdhjetë vjet të fundit, kohë më parë ka kaluar karvani i krushqve të cilit i ka prirë gjyqtari i kundërvajtjeve Xhavit Haziri duke valuar flamurin shqiptar. Për këtë, një gjyqtar tjetër e dënoi të zotin e dasmës Beqir Beqirin me 60 ditë burg si organizator i “provokimit të paramenduar”. Po i gjykohet edhe Ali Hotit (20) i cili në mes të rrugës në Klinë, si mishngrënës e ka kafshuar vajzën 13 vjecare, natyrisht serbe.
Shkurt, për 12 ditë ndodhën dhjetë “ekcese ndërnacionale.” Për këtë arsye me 16 gusht në Fushë Kosovë u tubuan pesëmijë serbë dhe malazezë. Ata kërkuan që në Kosovë të arrijnë Llazar Mojsov dhe Boshko Kruniq, “meqenëse udhëheqësit e Serbisë nuk po mund të ndihmojnë, sepse nuk kanë kompetenca mbi krahinën”. Në këtë tubim Zoran Sokoloviqit, sekretar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunitëve të Serbisë, iu fishkëllua derisa po mbanet fjalimin e vet.
Dy ditë më vonë, në konferencën për gazetarë në Komitetin Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, anëtari i kryesisë Remzi Kolgeci, theksoi se “detyrat e përcaktuara po realizohen më më efikasitet, ndërsa disa dukuri dhe ekcese po zgjidhen më me përgjegjësi dhe më shpejtë.” Por, shtoi ai, në shtyp e vecanërisht në “shtypin e Beogradit” po udhëhiqet fushata kundër gjithçka që punohet dhe që ndërmerret në Kosovë, duke përfunduar se bëhet fjalë për “një lloj të luftës speciale dhe përpjekjeve për njollosjen e të gjitha fryteve revolucionare dhe kushtetuese dhe për detitoizimin e shoqërisë”.
Bardh e Zi
Çka po ndodh në të vërtetë në Kosovë? A po rritet numri i ekceseve, sepse separatistët “po nguten për të arritur ndryshimet kushtetuese”, siç thuhet shpesh e kështu “t’iu kundërvihen aksionit të komunistëve”? çka po ndodh prapa incidenteve dhe shembujve, nxehtësia e të cilave shpesh po e pamundëson dallimin e rrjedhave strategjike të lumenjve nëntokësorë? Dy shembuj flasin metaforikisht.
Kreu politik krahinor në një farë lloj apeli u bëri thirrje shqiptarëve që të mbrojnë bashkëqytetarët e tyre sllavë nga sulmet e separatistëve. Per nga fryma e tij, apeli i përket lëvizjes franceze “Touche pas a mon pot!” (“Mos e prek shokun tim”), me të cilin majtistët e atjeshëm iu kundërvunë racizmit në rritje të francezëve dhe segregacionit të qyetarëve të “ngjyrosur”. Apeli nënvizon pafuqinë e shtetit që ta ushtrojë funksionin e tij themelor – mbrojtjen e të gjithë qytetarëve. Mbrojtja e fëmijëve dhe e grave është kapitull i posacëm i përkujdjesjes së përditshme të popullatës sllave.
Shembulli i dytë është organizimi i referendumit në hotelin Grand – se a duhet edhe në këtë simbol të emancipimit të krahinës, krahas mbishkrimit shqip i cili është aty që nga hapja e hotelit, të theksohet edhe mbishkrimi në gjuhën serbokroate Grand hotel Pristina? Me rezultat 60 me 40 përqind fituan përfaqësuesit e tolerancës gjuhësore. Ky rezultat i votimit e shprehë në formë alegorike marrëdhënien mes forcave për shkak të të cilave qe shtatë vjet po luftohet nacionalizmi dhe separatizmi e nuk është arritur aq sa është dëshiruar.
Disa njerëzve iu duhet hologrami, fotografia tridimensionale në mënyrë që të binden se tezat në vijim nuk paraqesin herezi, por një nga mundësitë eventuale për rezultatin final të interplay-it të tensionit ndëretnik dhe të krizës ekonomike, kushtetuese e politike. Fitohet përshtypja se planet për “zgjidhjen e rrethanave në Kosovë” po vazhdojnë kryesisht rrugës e cila edhe solli lëvizjet masovike separatiste. Programi jugosllav për ndihmë Kosovës, i cili përmban pak ideologji, pak politikë, pak ekonomi, edhe pak kulturë, nuk e analizon thelbin e problemit:
A ekzistojnë dhe cilat janë dallimet mes asaj që quhet”qëllimit strategjik të ideologjisë nacionale” të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë? Thënë më thjeshtë, përse një numri të konsiderueshëm (të pacaktuar) të shqiptarëve tanë iu duket më tërheqës “Tibeti stalinist” i matanë rrugës se sa “vitrina e superioritetit qytetëruese”? Përse mendojnë se Enver Hoxha, i cili funksionon në parimin kundër –Titos, ka bërë më shumë për popullin e tij? Përfundimisht a e shohin të ardhmen e tyre në socializmin vetëqeverisës?
Politika jonë zyrtare , ka pasur dy teza: “për kundërrevolucionin e importuar”, e cila u tregua pjesërisht e drejtë; teza e dytë – që parulla Kosova Republikë, si plan minimalist i separatistëve, është e papranuar nga qarqe më të gjera të shqiptarëve në Kosovë. Por, mbetet një pyetje të shtrohet, nëse është vlerësuar saktë shkalla e oportunizmit të masave shqiptare, të cilat kryesisht në heshtje po e vëzhgojnë duelin e komunistëve shqiptarë, projugosllavë dhe të separatistëve. Në situatën e këtillë Azem Vllasi u gjet në rolin e liderit të “bolshevikëve”; pakicat me hapësirë të kufizuar manovrimi ndërmjet dy alternativave të lëvizjeve – serbe dhe shqiptare. Shqiptarët priren nga vetësegregacioni brenda Jugosllavisë, ndërsa serbët mbyllen vullnetarisht në “bantustane”, duke tentuar të ruajnë vendbanimet e pastra nacionale dhe të mbrohen nga ardhacakët – shqiptarët të cilët nga viti 1981 deri në 1986 kanë paguar rreth një miliardë dollarë për blerjen e 2245 pronave të serbëve.
Vetëorganizimi i serbëve dhe malazezve është treguar i logjikshëm dhe legjitim në kohën kur është ngrehur tipi model i shqiptarit nacionalist, musliman, me origjinë “ariane” i cili nuk flet asnjë gjuhë përveç gjuhës së vet amtare, e në kohën kur shteti i Kosovës është treguar kombëtarisht i njëanshëm. Në fazën e mëvonshme ky “vetëorganizim” u bë pak më i organizuar, e në sipërfaqe dolën liderë radikalë me të cilët pushteti ndonjëherë diskutonte e herën tjetër negocionte. Këta udhëheqës serbë të cilët vinin kryesisht nga Fushë Kosova, e cila gëzon epitetin e “Jerusalemit serb” kanë pushtet të madh, por për shkak të statusit të tyre jozyrtar nuk kanë në çdo rrethanë vetëdije të përgjegjësisë së veçantë. Programi i tyre për parandalimin e shpërnguljeve, absorbohet në parullën “të gjithë, ose asnjëri”.
Situata në Kosovë është e atillë, që duke parafrazuar Zharko Puhovskin, mund të thuhet se subjektet politike janë të lindur si shqiptarë, serbë, e nuk mund të dalin jashtë kësaj. Pra, ekziston vetëm pozicioni serb dhe shqiptar; qytetari nuk gjendet si individ dhe çfarëdo argumentimi nuk të çon në ndryshimin e qëndrimeve, por thjesht ky është një ritual politik. Në këtë shkallë humben krejt dallimet ideore e politike, arrihet pajtimi kombëtar (dëshmitë nga Lufta Nacionalçlirimtare) rigjallëorhen mitet e vjetra të nxitura nga struktura të paprekura të autoritetit fisnor, të vëllazërisë, familjes. Kështu vjen deri te konfrontim i dy miteve për një Kosovë. Përderisa shumica e serbëve kërkon “dorë të fortë” dhe “më shumë Serbi në Kosovë” në anën tjetër mbikëqyrja nga organet republikane dhe “ankesat në Beograd” merren si suspendim i qeverisë së krahinës. Ky është rast i njëjtë edhe më ndryshimet e propozuara kushtetuese.
Ndërkohë ka ndodhur edhe një inverzion të cilit politika jonë zyrtare nuk ia vë veshin. Projekti i vjetër shqiptaromadh për bashkimin e Kosovës me shtetin “amë” ka pësuar disa ndryshime. Ramiz Alia nuk do të kishte sukses ta ruante integritetin e trashëgimisë së Enver Hoxhës para njerëzve të cilët janë mësuar të jetojnë nën sistem tjetërfare, me liri të lëvizjes, pasaporta, libreza të kursimeve devizore, me automobilë. Me këtë, për separatistët kosovarë Tirana e ka humbur aurorën e Mekës, ndërsa u lëshua të qarkullojë teza për “bashkim me pjesën më të zhvilluar të kombit”. Por, në Kosovë nuk flitet për këtë sepse nuk ekziston as mjedis politik as mediatik në të cilin do të niste diskutimi brenda popullit shqiptar për të ardhmen e tyre brenda atdheut të tyre jugosllav. Në pyetjen pse heshtin për shkaqet dhe pasojat e separatizmit brenda popullit të tyre, intelektualët e rinj thonë se kjo është “koha e tubimeve kombëtare” dhe nuk është e përshtatshme të ngrihen kundër mendimit të shumicës dhe se shqiptarët rastësisht kanë gjetur vend në mekanizmin e gatshëm të shlirimit të federatës së Jugosllavisë i cili ka arritur nga republikat tjera.
Shumica e inteligjencës shqiptare ka kundërshtuar “detyrën partiake”, – që të shkruajnë tekste në tema të dhëna dhe për t’i qëruar hesapet me nacionalizmin. Kjo solli te ftohja e marrëdhënieve me administratën e tashme të Kosovës. Shumica e tyre presin të shohin nëse Azem Vllasi do të arrijë të qëndrojë përballë këtyre fronteve të hapura, apo do ta përbijë “lobi i mbetur i Gjakovës” i cili duke qenë i sigurtë në nivelet e mesme të burokracisë së Kosovës, po pret si do të rrjedhin ngjarjet.
Por, siç thotë Shkëlzen Maliqi, në Kosovë ka ekzistuar tradita e gjatë e tolerancës dhe e respektit të reciprok edhe në kohët më të vështira. Maliqi tha se paraqet njëzëri mendimin e intelektualëve shqiptarë që “vlimet serbe” në Kosovë nuk janë shprehje spontane e pakënaqësisë me gjendjen ekzistuese por se “ato janë të dirigjuara nga jashtë, e në rend të parë në mënyrë që të detyrohet ndryshimi themelor i Kushtetutës së vitit 1974.” Sipas tij sot ndaj nacionalizmit serb po sillemi po aq sa në mënyrë tolerante aq edhe të pavendosur, ashtu siç jemi sjellë ndaj nacionalizmit shqiptar deri në vitin 1981. Por ne jemi vetëm viktima të qërimit të hesapeve të cilat i kanë nisur politikanët nga niveli më i lartë. Në rast se ata do të merreshin vesh rreth mënyrës së administrimit të Kosovës, rreth statusit të krahinave dhe republikave, rreth problemit të majorizimit në nivel republikan e krahinor, atëherë në mesin e popullatës do të kishte më shumë unitet, e edhe shqiptarët bashkë me serbët e malazeztë do të vinin në përfundim se kanë administratën më të keqe dhe më të ngathtë e cila nga cilado pikëpamje iu është neveritur”. Megjithkëtë, Maliqi konsideron se rrjedha e ngjarjeve po shkon në drejtim të kundërt.
Para së gjithash Kosova është pjesë e rrëfimit gjithëjugosllav derisa nuk zgjidhet problemi i krizës jugosllave, e cila nuk mund të zgjidhet vetëm në Serbi dhe vetëm në Kosovë. Nuk mund të jenë optimiste e të logjikshme pritshmënitë se ndryshimet e parashikuara kushtetuese do të thonë automatikisht edhe përmirësim i situatës në Kosovë. Siç ia ka qejfi Najdan Pashiqit të thotë:”Nuk po ndodh asgjë: rritet pushteti i republikës, por rritet edhe pushteti i krahinës”. Meqenëse nuk ekziston “muri magjik kinez” për të ndaluar përhapjen e ideologjisë së separatizmit është vështirë për ta ndaluar në rrethana të marrëdhënieve të lëkundura kombëtare, edhe në trevat të cilat nuk janë nën jurisdiksionin e Kosovës. Ky është rasti në kufijtë perëndimorë të Maqedonisë dhe të juglindjes së Serbisë. Por hapi i parë duhet bërë në Kosovë, që administrata shtetërore, gjyqësia, arsimi, siguria publike të funksionojnë normalisht. Për këtë arsye aktualisht sistemi juridik atje dallohet paksa nga ai në trevat tjera të vendit, në mënyrë që sllavëve t’iu jepet “status i veçantë”. Bëhet fjalë për ndalimin e shitjes së pronave, kufizimit të shpërnguljeve, ndalimit që shqiptarët të blejnë shtëpi në fshatrat serbe.
Por, shtatë vjet pritjeje që Kosova të bëhet problem i mirëfilltë jugosllav ka prodhuar në Serbi atë lloj të radikalizmit, i cili në vend të së ardhmes, i kthehet kohëve të vjetra, lahutave dhe mjekimeve autoritare të “shokut të ndërgjegjes kombëtare.” Në mesin e serbëve në Kosovë gjithnjë e më shumë mbizotërojnë bisedat për Aleksandër Rankoviqin dhe kohën e tij, në të cilat Rankoviqi paraqitet si “viktimë” e kthesës politike të kreut jugosllav. Nga pjesa e kishës ortodokse serbe arrijnë propozime që viti para festimit të 600 vjetorit të betejës së Kosovës, pra viti 1988 – të shpallet Vit i Pendimit ne Kosove. Kasetat më të popullarizuara me lahuta janë me tema të reja kosovare, ndërsa çmimet e armëve në tregun e zi kanë kërcyer shumë më lartë se sa inflacioni.
A jemi serbë apo shqiptarë
Taras Kermanuer ka të drejtë kur thotë se Kosova ka nisur tek serbët një rimëkëmbje të fuqishme të emocioneve kombëtare” të papresedan në këtë gjysmëshekull. Edhepse serbët paralajmërojnë shpërngulje masive në vitin jubilare të Betejës së Kosovës (1989), duke pohuar se mjaft kanë duruar “rolin e pengut shtetëror dhe të kreshnikut”, ata njëkohësisht pyesin – “çka është për ne socializmi, vetëqeverisja, partia, federata, republika, shekulli XX, nëse fëmijët e mi në muzg duhet të jenë në shtëpi dhe nëse i çoj dhe i marr nga shkolla në shtëpi?”
Përderisa udhëheqësit e Kosovës, e jo vetëm ata nga kjo kohë, duken si njerëz me ndërgjegje të pastër – e kjo është qartazi pasojë e kujtesës së ligë, deri këtu duket se askund si në Kosovë, kombësia nuk është tkurrur në elitë. Tashti nacionalizmi shqiptar mund ta mbizotërojë për vete popullin shqiptar në mënyrë më efikase, por në atmosferën e rrethimit të vazhdueshëm, është pikëpyetje deri ku shkon ai kufi delikat të cilin shqiptarët tanë e konsiderojnë presion të jashtëm, akuzë për mosbesueshmëri historike dhe kërkesës së arsyeshme që vetë në radhë të parë të çlirohen nga ky proces malinj.
Kësaj do t’i kontribuonte edhe ulja e histerisë në diskutimet për flamurin, natalitetin, gjuhën, gjë që nuk nënkupton heqje dorë nga qëndrimet parimore por respektim të pluralizmit elementar. Do të shmangnim dy gjëra të papara për Evropën e sotme: një mjek shqiptar nga Prishtina thotë se në praktikë ai rastis ta takojë një pacient serb vetëm nëse e sjellin thellësisht pa vetëdije. Mjeku i dytë shqiptar nga kirurgjia thotë se pacienti i shtrirë në tavolinën e operacionit duke rënë në gjumin anestetik ka mërmëritur:”Shpresoj të jeni të gjithë shqiptarë!”
Çdo shtet mund të identifikohet sipas mëkatit vdekatar më të përhapur në të. Çka të thuhet për Jugosllavinë e cila ka hyrë në vitin e shtatë prej se luan bixhoz me të ardhmen e saj në avanturën më të madhe të jetës së saj. Është e qartë që ajo dhe ne bashkë me të do të fillojmë të sjellemi arsyeshëm vetëm atëherë kur të shtjerren të gjitha mundësitë tjera.
Autor: Aleksandar Tijaniq