“Danas”, nr. 297, 27 tetor 1987
Fati i Fadil Hoxhës dhe i Hamdija Pozderacit janë dëshmi se nuk duhet lexuar historinë zyrtare, por vetëm biografitë. Në to përshkruhen jetët pa asnjë gllënjkë teori vetëm praktika e pikëllueshme. Kjo vërehet edhe nga fakti se gati njëkohësisht grupi punues nga maja e federatës dhe mbledhja me e lartë e komunistëve të Bosnjës-Hercegovinës ka konstatuar se Hoxha dhe Pozderac duhet të bartin konsekuencat politike te veprimtarisë së tyre.
Kështu praktikisht kemi mbetur pa dy nënkryetarë të shtetit, të tanishmin dhe të kaluarin. Megjithëse të dy i mori me vete vala e paparë e presionit të opinionit publik, i kryqëzuar me të dhënat arkivore, rasti i Hoxhës është specifik. Sipas të gjitha gjasave ai është politikani i parë jugosllav i kalibrit të lartë i cili është përjashtuar nga Lidhja e Komunisteve jo vetëm për shkak të orientimit të gabuar afatgjatë apo pozicionit momental nga ama e përtej kufirit, por me hulumtimin e jetës së tij që nga lindja, nëpërmjet shkollimit, periudhës së luftës dhe të paqes, dëshmohet masivisht se Fadil Hoxha thënë thjesht është njeriu i gabuar. I gabuar edhe për partinë, edhe për shtetin, edhe për popullin e tij shqiptar.
Përgjegjësia e këtij heroi të popullit, trimit të punës socialiste, gjeneral-majorit rezervist, luftëtarit të orëve të para dhe njeriut me stazhin katërdhjetëvjeçar në maje të pushtetit të Kosovës, Jugosllavisë, ka dimensionin krahinor dhe federal.
Kjo në Kosovë mund të ketë peshën e ndarjes përfundimtare me njerëz që kanë personifikuar kohëra të shkuara dhe pushtetin e pakufizuar të lobit të Gjakovës. Krahas kësaj mund përfaqësojë fillimin e galvanizimit brenda shqiptar. Deri tani njerëzit e kanë shmangur daljen publike dhe venerimit ndërsa “sulltanët e kombit” kanë mbetur të paprekshëm. Zbritja definitive e tij nga skena politike zyrtare mund të sjellë për herë të parë ndërmarrjen e nisiativës së administratës zyrtare të Kosovës nga “kabineti në hije”. Në përmasat jugosllave dënimi i tij partiak pasi është pensionuar nga funksionet më të rëndësishme shtetërore, nënvizon faktin se sistemi ynë politik vuan kronikisht nga sindromi i aftësisë së mbrojtjes dhe se për eutanazinë politike ka nevojë për disa kushte të caktuara. Vetëm pas kësaj përfaqësimi politik pranon të sakrifikohet pjesën më të rrezikuar në mënyrë që sistemi të vazhdojë të funksionojë.
Për këtë arsye ikja e tij nuk paraqet vërtetimin e shtimit të përgjegjësisë së funksionarëve, sepse “hetimet” kanë filluar nga jashtë sistemit. Edhe pika e 18 e plenumit të Kosovës të KQ të LKJ e formuluar si vërtetimi i fakteve dhe rrethanave në lidhje me vërejtjet e dala në publik në llogari të Fadil Hoxhës. Edhe pse është përmendur “publiku” fitohet përshtypja sikurse në të gjitha shoqëritë me demokraci të brishtë se Hoxha ka rënë për shkak të martesës me personin me “të kaluar të dyshimtë”, pastaj për shkak të mendimeve të tij për problemet seksuale paramartesore të shqiptarëve dhe të angazhimit për legalizimin e “prostitucionit të pastër etnik”, ose për dërgimin e urimeve për vitin e ri ballistëve dhe dëshmive të rrejshme për pjesëmarrje në revolucionin, thuhet në memorandumin e kryesisë së RSFJ. Megjithëkëtë, përgjegjësia e tij është e shkallës më të lartë dhe përmblidhet në kolapsin ekonomik e social të Kosovës, në shpërnguljen e 200.000 sllavëve, në pasigurinë juridike, personale dhe pasurore të serbëve e malazezve dhe në aktivizimin e arke-çështjes së popullit shqiptar: a është me të vërtetë një Jugosllavi e këtillë definitivisht atdheu i tyre?
Përgjegjësia e tij është e shkallës më të lartë dhe përmblidhet në kolapsin ekonomik e social të Kosovës, në shpërnguljen e 200.000 sllavëve, në pasigurinë juridike, personale dhe pasurore të serbëve e malazezve dhe në aktivizimin e arke-çështjes së popullit shqiptar: a është me të vërtetë një Jugosllavi e këtillë definitivisht atdheu i tyre?
Spasoje Gjakoviq thotë se pas luftës ka marrë njoftimin nga kolegu i tij Koçi Xoxe, ministër i policisë në Shqipëri, se “një personalitet i lartë nga Kosova vazhdimisht e informon Enver Hoxhën për situatën në Jugosllavi.”
Hoxha është organizatori kryesor i Konferencës së Bujanit dhe personi më përgjegjës që kryengritësi Shaban Polluzha ka marrë autorizim nga shtabi operativ që të kryhet mobilizim i njerëzve. Në këtë mënyrë iu është mundësuar që 10.000 shqiptarë të mashtruar dhe të lajthitur t’i udhëheqë në luftë kundër partizanëve.
Për kësi lloj përgjegjësie të Hoxhës dhe të bashkëluftëtarëve të tij (Mahmut Bakalli, Xhavit Nimani, Dushan Ristiq, Ymer Pula, Xhevdet Hamza, Ismail Bajra, Sefedin Batalli, Mustafa Plkaiq) në mbledhjen e përmendur të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës mbajtur me 23 tetor as që është bërë fjalë, derisa opinion publik serb nuk u trazua para valës së pandërprerë të zbulimeve të reja dhe të akuzave të cilat ndonjëherë kaluan kufirin e rafinuar të shijes së mirë. Padyshim që në disa situate është vështirë ta ruash ftohtësinë e gjykimit, por nga interpretimet për qëllimet finale dhe dënimeve paraprake nuk duhet krijuar fishekzjarrë. Dënimet dhe dorëheqjet janë pjesë e koreografisë politike të cilat vetvetiu nuk kontribuojnë ndryshimit radikal të situatës. Nëse proceset jugosllave dhe kriza e projektit socialist vetëqeverisës, të cilët mundësuan krijimin e “protektoratit” në territore të caktuara, mbesin të panjollosur, mbetet vetëm çështje kohe kur do ta kemi “guvernatorin” e ri të Kosovës ose sponsorin e ri të Agrokomercit. Për këtë arsye dënimi i Hoxhës nuk është pasojë e demokracisë, por zbatim i efektit të saj purgativ.
Është e njohur që në Serbi ekzistojnë njerëz të cilët për një decenie të tërë udhëheqin luftë private të tyre kundër Hoxhës. Njëri nga ata është edhe partizani nga Kosova koloneli në pension Radisav Filipoviq, i njohur me nofkën “koloneli Xerox”, meqë shkruan dhjetëra mesazhe kundër jo vetëm qeveritarëve “Hoxhistë” dhe i dërgon në adresa të ndryshme.
Në vitin 1984 u botua libri “Konfliktet në Kosovë” i autorit Spasoje Gjakoviq, shefit të dikurshëm të OZNA-s (më vonë UDB-së) për Kosovë. Në këtë libër autori pohon se pas luftës ka marrë njoftimin nga kolegu i tij Koçi Xoxe, ministër i policisë në Shqipëri, se “një personalitet i lartë nga Kosova vazhdimisht e informon Enver Hoxhën për situatën në Jugosllavi.” Dy vjet më pas në botimin e dytë të librit, autori Gjakoviq thotë shprehimisht se Fadil Hoxha i ka shkruar Enverit. Me procedurë të saktë dëshmuese, Gjakoviq përpiqet të vërtetojë gjenezën separatist të Fadil Hoxhës. Ai fillimisht niset nga vlerësimi i luftëtarëve kosovarë të cilët jetojnë në Beograd. Sipas tyre, “Hoxha po organizon që në Kosovë ta shpallin legjendë. Për meritat e tij në luftë, ai është shpallur hero i popullit. Ai ka qenë komandant i mirë i Aradhës Zenel Hajdini. Ka qenë komandant i pasuksesshëm i shtabit operativ të Ushtrisë Nacional Çlirimtare për Kosovë, për ç’gjë komandanti shoku Tito e ka shkarkuar me 8 shkurt 1945.
Hoxha është organizatori kryesor i Konferencës së Bujanit dhe personi më përgjegjës që kryengritësi Shaban Polluzha ka marrë autorizim nga shtabi operativ që të kryhet mobilizim i njerëzve. Në këtë mënyrë iu është mundësuar që 10.000 shqiptarë të mashtruar dhe të lajthitur t’i udhëheqë në luftë kundër partizanëve. Ai ka rënë në provim në mbrojtjen e fryteve të revolucionit. Për shkak të koketimeve me Enver Hoxhën ka qenë dënuar në parti. Hoxha është ithtari kryesor që Kosova të shpallet republikë, e kështu ai është përgjegjës për demonstratat e vitit 1968. Do të ishte veprim me rregull që menjëherë pas kundërrevolucionit të vitit 1981 Fadil Hoxha të jepte dorëheqje nga anëtarësia në Kryesinë e RSFJ-së. Ai bart përgjegjësinë më të madhe për krijimin e Kosovës së pastër etnike. Përderisa Fadil Hoxha të jetë anëtar i Lidhjes së Komunistëve, nuk ka diferencim të mirëfilltë dhe të duhur dhe nuk ka luftë të suksesshme dhe efikase kundër kundërrevolucionit në Kosovë.”
Libri i Gjakoviqit paraqet shtjellimin e kësaj letre, pikë për pikë. Pas grabitjes së tirazhit të parë, Fadil Hoxha dërgon (për memorandumine Kryesisë së RSFJ-së) sqarimin Sekretarit të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë Nikolla Stojanoviqit, duke përmendur një material të paidentifikuar për konferencën në Bujan. Ky material iu shpërnda anëtarëve të kryesisë. Hoxha pohon se pas Bujanit kemi konstatuar se me synim të përvetësimit të masave shqiptare për Luftën Nacionalçlirimtare, kemi bërë gabim serioz me qëndrimin në rezolutë përkitazi me dëshirën e popullatës shqiptare për t’iu bashkuar Shqipërisë”. Ky qëndrim, sipas Hoxhës, është fshirë dhe është hequr nga rezoluta. Ai shton se si gjithnjë e më shumë po krijohet përshtypja se për udhëheqjen kosovare mund të thuhet çfarë të dojë shpirti dhe jo vetëm nëpër kuluare, por edhe në artikuj të ndryshëm në revista, gazeta, e tani edhe në letrat të cilat u dërgohen KQ të LKJ-së. Konsideroj e kjo nuk duhet lejuar të ndodhë”.
Për aq sa dihet kryesia e partisë nuk ka reaguar. Një vit më pas në javoren beogradase NIN u botua fotografia e gruas së Fadil Hoxhës, me një transparent përkrahës për okupatorin italian në Kosovë me rastin e kremtimit të Ditës së Flamurit Shqiptar. Kryeredaktori i javores është thirrë “atje ku duhet” dhe u detyrua të japë dorëheqje. Megjithëkëtë, edhe përkundër botimeve të tilla, për Hoxhën mbretëroi heshtja zyrtare. Sikurse të kishin të drejtë autorët që e akuzonin për “tradhti të madhe” dhe Hoxha i cili ua kthente me akuza se këto pohime janë të orientuara kundër “kuadrove revolucionare nga Kosova, e në fund të fundit edhe kundër shokut Tito, duke pasur mirëkuptimin dhe përkrahjen e tij”. Heshtja është zgjedhur si opcion politik më të së paku i dëmshëm. Në Serbi është folur se Hoxha është i paprekshëm nga arsyet e thjeshta sepse në duar mban “Kutinë e Pandorës” hapja e së cilës do ta dezintegronte shumë njerëz nga kreu i Serbisë dhe federatës të cilët për ngjarjet në Kosovë kanë heshtur qe dy decenie.
Megjithatë u ndje se pozita e “guvernatorit” të Kosovës nuk është më aq e fortë. Kur fraksioni i tij vitin e kluar nuk arriti të depërtojë deri në organet më të larta të partisë, u bë e qartë se njerëz të rinj nga Kosova po e demonopolizojnë ekipin e Gjakovës. Kur nëpër gazeta u fejtonizuan urimet e Hoxhës dërguar njerëzve të dënuar si armiq dhe kur u botuan faksimilet e vërtetimeve të tij “për stazhin e luftëtarit” dhënë disa “partizanëve” të dyshimtë, Hoxha iu drejtua ekipit të ri udhëheqës të Kosovës duke kërkuar mbrojtje. Krejt çka mori, ishte përgjigja që të ulet e ta shkruajë të vërtetën e tij. Por, Hoxha si ekzemplar i mirëfilltë i frymës së kohës së pushtetit mbizotërues superior në politikë, hesht me ngulm dhe distribuon, nëpërmjet sekretariatit krahinor për informata sqarimet e tij.
Gazetarët e dijnë se tek ai ka me dhjetëra kërkesa për intervista dhe xhirime televizive, por ai i shmanget me ngulm përballjeve me mediet nga dy arsye: i njohur se duke qenë politikan me këmbëngulësi të hekurtë e ka kompensuar mungesën e konsiderueshme të aftësisë për të realizuar sinteza strategjike, ai është mbështetur gjithnjë në grupin e intelektualëve të cilët e përbëjnë esencën e Universitetit të Prishtinës, e të cilët e kanë furnizuar me diskutime të shkruara për të gjitha rrethanat. Krahas kësaj, ai asnjëherë nuk e ka përvetësuar mirë gjuhën serbokroate, sepse pjesën më të madhe të rinisë e ka kaluar në Shqipëri. Atje e ka kryer edhe shkollën e mësuesisë.
Arsyeja e dytë e heshtjes së tij qëndron në besimin e tij se gjërat mund të ruhen dhe të zgjidhen edhe më tutje brenda qarqeve të përkushtuara. Së shpejti e zbuloi gjithë parehatshmërinë e pozicionit të “sulltanit të pensionuar”. Është vështirë të gjesh në pjesët tjera të vendit njeriun i cili për nga simbolika e tij për ndonjë republikë a krahinë mund të krahasohet me Fadil Hoxhën ose Kosovën. I përcjellur me legjendën e komandantit partisan,i konservuar me faktin se në fillim të luftës në Kosovë nga 250 komunistë pati vetëm 20 shqiptarë, i ruajtur dhe i mbrojtur nga gabimet dhe akuzat e ndryshme, Hoxha në fund i besoi edhe vetë portretit të tij publik.
Personalisht shumë modest (shtëpia e tij bën pjesë në mesin e rezidencave më të vogla) i papërlyer në afera me artistë lokalë, gjë që ka qenë veçori e Mahmut Bakallit, ai ka pasur kënaqësi të gëzohet në vetëm një gjë: në largimin masovik të udhëheqësve (serbë e malazez) nga Kosova të cilët në vitet ’60 ia “dorëzuan” pushtetin shqiptarëve dhe ka kërkuar tretman të paprekshëm në Kosovë. Sipas të gjitha gjasave kështu ai hyri në garë me Enver Hoxhën për primat te kombi shqiptar. Sikurse Enveri i cili nga vendlindja e tij Gjirokastra krijoi Jerusalemin, Fadili bëri të njëjtën gjë me Gjakovën e tij.
I mbështetur nga rreth 20 bashkëvendas të tij të cilët mbuluan pozitat më të rëndësishme politike dhe ekonomike, Hoxha e ka ngritur kombin shqiptar në nivel religjioz, duke inicuar “pajtimin kombëtar”. Deri te largimi i Bakallit nga kreu i Kosovës, nuk ka pasur udhëheqës shqiptar i cili “ka rënë nga kulti revolucionar”. Në Serbi dhe në Jugosllavi ai është pranuar sikurse një zëdhënës i Kosovës, gjyqtar i patjeklaueshëm, postulatet themelor e të të cilit i kanë përpunuar “ideologu” Xhavit Nimani dhe “operativci” Mahmut Bakalli. Kështu në Kosovë, e cila është një mjedis tradicional i prirur nga një qendër e pushtetit, nuk ka pasur mundësi të ngrihet qendra “opozitare” aq e fortë sa ta rrezikojë Hoxhën.
Ai ka qenë i paprekshëm sepse duket se edhe kreu ynë politik i ka mbështetur mbi të marrëdhëniet tona me fqinjët. Demonstruesit në vitin 1968 e kanë quajtur atë kryetar të Republikës së Kosovës, ndërsa kërkesa zyrtare për Kosovën republikë është lansuar pikërisht në qytetin e tij të lindjes. Kështu që Fadil Hoxha ishte një udhëheqës i dobët demokratik i Kosovës. Dënimi partiak i tij dhe propozimet për dënime të njerëzve të tij lidhen me efikasitetin apo punën e Sllobodan Millosheviqit, kryetarin e komunistëve serbë. Askush nuk merret me analizën se ç’pasoja do të kenë në ngjarjet e ardhshme kosovare dy ndjenjat e kundërvëna: të shqiptarëve se do të humbin “heroin e tyre” dhe të serbëve që do të fitojnë duke iu falënderuar qëndrimit të tyre fortë.
Bëhet fjalë për një fakt që, gjykuar nga dëshmitë e botuara deri tani, Fadil Hoxha dhe shokët është dashur të japin përgjegjësi edhe më herët. Ata që i kanë mbrojtur dhe toleruar edhe në Serbi, edhe në Jugosllavi, i kanë kontribuar rritjes së mllefit publik në Serbi, të cilin tani është vështirë për ta kontrolluar. Do të jetë vështirë t’i bindin se kjo “fitore” nuk është e tyre. Disa njerëzve kjo mund t’u japë ide të çuditshme apo t’i bindin se pushteti i fortë është i vetmi ilaç për vlimet kosovare. Nga kjo bindje burojnë edhe thirrjet për “administrim ushtarak”, pastaj për “Millan Nediqin” si “baba serb”, të zbukuruar me elemente të linçit si “Hoxha, varu vetë, që të mos të varim ne”.
Është vështirë të besohet se këto thirrje nuk kanë një qëllim të radhës, duke i kontribuar asaj që do ta quajmë “pesë minuta para kaosit të përgjithshëm”. Pushteti hëpërhë po i shqyrton dy fletëparaqitje penale kundër Fadil Hoxhës. Kështu, ai kërcënohet që të jetë i pari politikan i lartë jugosllav që mund të përfundojë në burg për shkak të gabimeve politike.
Meqenëse në Kosovë, sikurse në të gjithë vendin, ka ardhur deri te problemet më të mëdha për shkak të tkurrjes së hapësirës demokratike dhe dialogut, a mund të pritet një zgjidhje e përhershme e krizës nëse edhe më tutje vazhdon të zvogëlohet kjo hapësirë demokratike? Politika e mirë i përmbahet gjithnjë një parimi para se të zgjidhë një problem – gjithmonë duhet ditur se çka do të pasojë nëse ai me të vërtetë zgjidhet, kështu apo ashtu.
Autor: Aleksandar Tijanić