Ndonëse Kuvendi i Kosovës ka paralajmëruar për të mërkurën seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ende mbetet e paqartë nëse janë siguruar 80 votat e nevojshme në favor të kalimit të kësaj çështjeje.
Partitë shqiptare brenda koalicionit qeverisës në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, kanë arritur pajtimin me partinë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, për votimin në favor të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje. Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër kësaj marrëveshje, ndërkohë që Lista Serbe, partnere në koalicionin qeverisës, e cila ditë më parë po ashtu ka qenë kundër ratifikimit të marrëveshjes, nuk ka ndonjë përgjigje të qartë se cili do të jetë qëndrimi i saj ditën e mërkurë.