Dikur ishte qendër e kulturës dhe tregtisë dhe një prej vendeve më të qytetëruara të Shqipërisë, e kjo lehtë mund të vërehet edhe sot.
Kjo është Shkodra. E vecantë për nga natyra por edhe historia.
Një vend që vlen të vizitohet gjatë qëndrimit në këtë qytet është muzeu i Marubit.
Këtu mund të shihni fotografitë e para që janë realizuar në Shqipëri nga familja Marubi.
Çdo pjesë ka rrëfimin e vet, përmes fotografive dhe shumë detajeve tjera dokumentohen momente të rëndësishme të jetës shoqërore, kulturore, sportive e politike nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzet.
Historia e fotografisë në Shqipëri fillon me italianin Pietro Marubbi i cili u vendos në qytetin e Shkodrës në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Këtu ai hapi studion e parë të fotografisë në vitin 1856.
Duke mos pasur fëmijë, ndihmësit e parë dhe vijuesit besnikë në fushën e fotografisë ishin fëmijët e kopshtarit të tij, Rrok Kodheli nga zona e Zadrimës. Dy djemtë, Mati dhe Kel Kodheli u dërguan në studion “Sebastianutti & Benque” në Trieste për të mësuar mbi mjeshtërinë dhe sekretet e fotografisë. Me vdekjen e parakohshme të Mati Kodhelit, studioja u vazhdua nga Kel Kodheli i cili trashëgoi edhe mbiemrin e Pietro Marubbit. Më tej puna u vazhdua nga i biri i tij, Gegë Marubi i cili studioi për fotografi dhe kinematografi në studion e vëllezërve Lumière në Francë. Ajo çka vihet re në tre brezat e fotografëve është dëshira për të qenë bashkëkohorë me epokën, kontekstin dhe problematikat social-estetike e teknologjike të kohës.
Ndërkohë në Shkodër u hapën edhe studio të tjera fotografësh si Dritëshkroja e Kolës (1886), Fotografija Pici (1924), Foto Jakova (1932), Foto Rraboshta (1943).
Me ardhjen e komunizmit, ku çdo aktivitet privat u ndalua me ligj e në pamundësinë për të përdorur e promovuar punën e tij dhe të paraardhësve, Gegë Marubi detyrohet t’i dhurojë shtetit arkivin e famijes. Gjesti i tij u ndoq edhe nga fotografët e tjerë të qytetit.
Nga fondi i tyre u themelua Fototeka “Marubi” si sektorit i Muzeut Historik të qytetit e cila do të qëndronte aty deri në vitin 2003, kur kaloi si institucion më vete.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ruan dhe promovon vlerat e një koleksioni fotografik që shtrihet nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzet, pjesë e të cilit janë Marubët e pasardhësit e tyre që kanë dokumentuar momente të rëndësishme të jetës shoqërore, kulturore, sportive e deri politike duke fiksuar kështu rrjedhën e pakthyeshme të kohës.